Kuptimi i drejtë i negociatave
“Nuk merrni atë që meritoni, merrni atë që negocioni”. Sot, po t’i dëgjosh njerëzit si i kuptojnë negociatat, do të shohësh se në lidhje me këtë çështje kanë shumë pak informacione ose shumë keqkuptime, pasi ata konsiderojnë që negociatat zhvillohen vetëm brenda shteteve e jo në nivele tjera, ndërkaq në anën tjetër negociatat mund t’i zhvillojmë pothuajse me çdo kend që jemi në kontakt, pra, prej familjes e deri në nivel shtetesh. Çështja tjetër me rëndësi është se ne pothuajse çdo ditë zhvillojmë negociata, megjithatë pa e ditur që jemi duke bërë një gjë të tillë, e sikur t’i kushtonim një rëndësi më të madhe, sigurisht se çdoherë do të kishim arritur një marrëveshje më të favorshme. Nëse i shohim autorët si i përkufizojnë negociatat, aty mund të shohim përkufizime të shumta, megjithatë nëse e konsultojmë fjalorin e Trashëgimisë Amerikane Desk Dictionary, negociatat përkufizohen si “bisedime ndërmjet palëve për të arritur në një marrëveshje”. Poashtu sipas autorëvë të ndryshëm, negociatat sygjerohen, që të jenë të balancuara dhe të favorshme për te dy palët. Pyetja që mund të parashtrohet në vijim është se sa jemi të përgatitur dhe sa jemi kërkues për një marrëveshje më të mirë? Sigurisht, që kjo në praktikë shihet si jo në nivel të kënaqshëm, sidoqoftë është shumë e rëndësishme që të jemi të përgatitur dhe kërkues për të arritur një marrëveshje më të mirë dhe pa e dëmtuar palën tjetër. Për më tepër, negociatat bashkëpunuese do të arrijnë më shumë sesa negociatat luftarake. Nuk është e rëndësishme vetëm të negociojmë me palën tjetër, por edhe si të negociojmë që pala tjetër negociuese të bindet se propozimet dhe qëndrimet tona janë të drejta dhe të arsyeshme dhe se pala tjetër duhet t’i pranojë ato. Domethënë të kemi një strategji dhe një taktikë negociuese, që na ndihmonë në realizimin e suksesshëm të negociatave. Qëllimi madhor është që të bësh tjetrin të mendoj se ka dalë fitues, kur në fakt ai që ke fituar je ti.
Shkruar nga: Dr. Sc. Lavdim Terziu